Kur stjuardesat zbulojnë sekretet nga udhëtimi me avion, ne të gjithë i kushtojmë vëmendje, veçanërisht kur ata flasin në lidhje me gabimet që mund të bëjmë gjatë fluturimit.
Një stjuardesë ka shpjeguar së fundmi se ka një gabim të madh që pasagjerët bëjnë zakonisht me çantat. Sipas saj, nëse bëni këtë gabim, atëherë mund të ndodhë që valixhja juaj të mos arrijë në destinacionin tuaj.
Zakonisht pasagjerët sapo të hipin në avion mundohen që të gjejnë një hapësirë bosh te dollapët sipër, për të vendosur çantat. E kur disa nuk gjejnë hapësirë mbi sediljet e tyre shkojnë dhe i vendosin në një vend tjetër.
Por kjo gjë nuk duhet bërë, pasi vendosja e çantës në vendin e parë që gjeni bosh mund të iu nxjerrë probleme. Çanta mund të hiqet fare nga aty dhe kur të zbrisni nga avioni nuk do e gjeni në vendin ku e keni lënë.
Kjo ndodh për shkak se ekuipazhi i kabinës duhet që të sigurohet që gjithçka të përshtatet siç duhet. E në momentin që një çantë apo diçka tjetër është në vendin e gabuar, ata mund t’a lëvizin.
E në momentin që ata nuk arrijnë që të gjejnë pronarin e një artikulli të caktuar, atëherë mund t’a heqin nga avioni.
Stjuardesa amerikane Valenica Rae, nga Florida, i tha “Conde Nast”: “Unë kur gjej një gjë më të vogël e marr dhe pyes ‘i kujt është ky?’, dhe nëse askush nuk përgjigjet, unë njoftoj se do të hiqet nga avioni”.
Rae vuri në dukje se kjo ndodh zakonisht me çantat shumë të vogla, të cilat fare mirë pasagjerët mund t’i ruanin siç duhet.
“Çantat e dorës dhe çantat e shpinës duhet të vendosen nën sediljen para jush”, ka shtuar Valenica.