Një ngjarje e pazakontë ka tronditur Nju Jorkun, pasi një ish-zyrtare e lartë e sigurisë publike në Mount Vernon akuzohet se është përfshirë në një sulm të armatosur të organizuar nga djali i saj 20-vjeçar. Sipas dokumenteve të gjykatës, Jennifer Lackard, 49 vjeçe, dyshohet se ndihmoi djalin e saj, Chase Lackard, të largohej nga vendngjarja pasi ai hapi zjarr ndaj një grupi personash pranë një gjykate në Bronx.
Ngjarja dyshohet se ndodhi më 29 qershor. Familja kishte mbërritur pranë gjykatës me një minivan, ndërsa Chase kishte një seancë për një çështje tjetër penale. Pas përfundimit të seancës, prokurorët pretendojnë se 20-vjeçari vendosi një maskë dhe hipi në pjesën e pasme të automjetit ku e prisnin prindërit. Automjeti më pas qarkulloi disa herë rreth zonës derisa u lokalizua personi që dyshohej se ishte objektivi.
Në një moment, nga dritarja e pasme e automjetit u qëllua disa herë drejt një grupi personash. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të plagosur. Autoritetet thonë se pas sulmit automjeti u largua me shpejtësi, ndërsa më pas Jennifer Lackard mori drejtimin e tij. Djali dyshohet se ndërroi rrobat në sediljen e pasme përpara se të dërgohej në banesë.
Pesë javë më vonë, hetuesit ekzekutuan një urdhër kontrolli në banesën e familjes dhe sekuestruan një pistoletë gjysmëautomatike të mbushur. Jennifer Lackard dhe djali i saj u arrestuan nën akuzat për tentativë vrasjeje, komplot dhe vepra të tjera penale. Bashkëshorti i saj, James Lackard, u vetëdorëzua më pas në polici. Të tre janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Pas arrestimit, Jennifer Lackard u shkarkua menjëherë nga posti i saj si zëvendëskomisionere për Sigurinë Publike në Mount Vernon.



