Një vizitë e zakonshme te dentisti u shndërrua në një kalvar të gjatë për një të re në Itali, e cila përfundoi duke humbur katër dhëmbë pas një trajtimi që gjykata e konsideroi të pakujdesshëm. Një gjykatë në qytetin e Piaçencës ka vendosur që dentisti t’i paguajë pacientes rreth 45 mijë euro dëmshpërblim, pasi konstatoi se ai kishte vepruar me neglizhencë profesionale.
Ngjarja nisi në vitin 2022, kur e reja iu drejtua dentistit për një dhimbje dhëmbi. Ajo që pritej të ishte një mbushje e thjeshtë u kthye në një trajtim endodontik me rindërtim të dhëmbit. Megjithatë, pas ndërhyrjes, pacientja nisi të vuante dhimbje të forta dhe vështirësi në përtypje, të cilat vazhduan edhe pas vizitave të përsëritura.
Për të lehtësuar gjendjen, dentisti kreu disa pastrime të kanaleve rrënjësore me peroksid hidrogjeni, por pa rezultat. Më pas, pacientja kërkoi një mendim të dytë mjekësor, ku specialistët zbuluan një granulomë apikale të përmasave të mëdha, e lidhur me një trajtim endodontik të papërfunduar.
Përkeqësimi i gjendjes bëri që ajo të trajtohej në njësinë e terapisë së dhimbjes në spitalin e Piaçencës. Përveç kontrollit të dhimbjeve, mjekët u detyruan t’i hiqnin edhe tre dhëmbë të tjerë, përveç atij që kishte shkaktuar problemin fillestar, për të eliminuar infeksionin dhe për të shmangur komplikacione të mëtejshme.
Ekspertët e caktuar nga gjykata arritën në përfundimin se trajtimi i kryer nga dentisti nuk përmbushte standardet profesionale. Gjykata konstatoi lidhjen e drejtpërdrejtë mes veprimeve të tij dhe dëmeve të shkaktuara, duke e shpallur përgjegjës për neglizhencë dhe duke e detyruar të paguajë rreth 45 mijë euro dëmshpërblim, që përfshin dëmet fizike, morale dhe shpenzimet gjyqësore.



