I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë gazetari Bledi Mane, për të folur më shumë për mendimin e tij mbi protestën popullore në vend, por jo vetëm…
I pyetur ‘Ti je kundra protestës?’, Mane u përgjigj:
“Po, kundra dhunës verbale që përdorin eksponentë të caktuar të protestës. Ne gazetarët protestojmë çdo ditë për korrupsionin, për dallaveret, për arrogancën e qeverisë. Ne që na akuzojnë si ‘lëpirësat’ e Edi Ramës, ne kemi mbajtur gjithmonë qëndrimet tona. Ti dhe unë nuk punojmë në shtet. Të t’i përmend unë emrat e personave që dalin aty? Më fal, pse nuk zhvillohet protesta paradite? Sepse janë të gjithë në punë, kanë biznese private, janë dhe në shtet. Do listë punonjësish apo njerëzish që marrin subvencione nga qeveria për projektet e tyre?
Ne që jemi më të vjetër, e dinë lagjet tona se ç’kanë hequr nga SHIKU i Berishës, nga punonjësit e policisë bashkiake të Lul Bashës, të Xhelal Mziut të Kamzës, dhuna e përdorur, kërcënimet. Kur shkoje në rajon për të denoncuar dhunën, vazhdonte dhuna përsëri. Ndërsa tani, a i ka vajtur shteti në shtëpi ndonjë nga këtyre blogereve? Jo. A i është ndërprerë ndonjë kontratë e majme hollivudiane? Jo. Këto vdesin të parakalojnë para zyrës së Edi Ramës, t’i bien në sy Edi Ramës. Dhe pastaj nëse Rama i përmend apo i nxjerr në video, këto kalojnë në eksitim me veten. Qëllimi i këtyre është që të vazhdojnë të bien në sy. Por kanë gjithë këto ditë rrugëve, a ka prodhuar gjë kjo protestë? I thashë Dea Vierit, angazhohu me politikë se ne do të të ndihmojmë. Jo, tha, s’dua të merrem me politikë. Atëherë çfarë qëllimi ke? Të iki Rama! Do ta heqim Ramën, kë do sjellim? Popullin!”.



