Në Uganda, fjala “Rolex” nuk lidhet vetëm me orët luksoze zvicerane për miliona njerëz ajo nënkupton një nga ushqimet më të dashura të rrugës në vend. “Tek ne nuk e mbajmë Rolex-in në dorë. Ne e hamë atë”, thotë Emmanuel Jonathan Okello, pronar i restorantit The Rolex Guy.
“Rolex”-i ugandez përgatitet me një petë chapati në stil indian, të mbushur me omëletë të hollë, perime dhe përbërës të tjerë, e më pas rrotullohet si wrap. Sipas Okellos, emri vjen nga shprehja “vezë të mbështjella” që me kalimin e kohës u shndërrua në “Rolex”.
Chapati u soll në Uganda nga indianët që britanikët kishin sjellë për ndërtimin e hekurudhave në fillim të shekullit të kaluar. Ushqimi indian u bë veçanërisht popullor në rajonin Busoga, pranë kufirit me Kenian, dhe ugandezët e përshtatën chapati-n sipas shijes së tyre, duke e bërë më të butë dhe me skaje më krokante.
Ajo që nisi si ushqim i lirë për punëtorët në lindje të vendit u përhap në të gjithë Ugandën, duke hyrë në tregje, kafene moderne dhe madje edhe restorante luksoze në vende të tjera.
Popullariteti i madh i “Rolex”-it u shty kryesisht nga studentët universitarë. Në rrugë, një Rolex kushton rreth 20 centë amerikanë, mjaftueshëm i lirë dhe i ngopshëm për studentët. Okello u frymëzua ta çonte këtë ushqim në një nivel tjetër pas një vizite në qytetin turistik Jinja, pranë burimit të lumit Nil, ku provoi një version me mish të skuqur.



