E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Eli Deda, një nga konkurrentet e këtij edicioni të “She’s On Top”. Ajo foli më shumë për rrugëtimin e saj në këtë program, por duke u ndalur edhe tek disa detaje nga jeta e saj personale…
Pjesë nga intervista:
Për çfarë studion në shkollë të lartë?
Studioj për drejtësi. Më ka pëlqyer që e vogël, por kam pasur dhe një histori, një ngjarje që më ka bërë ta shtyj veten dhe ta zgjedh pikërisht këtë degë… Që është 21 Janari. Një nga 4 dëshmorët, është vrarë dhe xhaxhai im, Hekuran Deda. Për këtë është një arsye më shumë që e ndjek si degë dhe po synoj gjëra edhe më të mëdha. Prandaj në botën e modelingut kam vendosur që të qëndroj pak më serioze dhe konstante me atë që dua të tregoj, duke qenë se e dua si gjë. Por pa cenuar edhe gjënë tjetër, që mund të jem në një pozicion edhe më shumë serioz në të ardhmen.
Një nga të vrarët e asaj proteste ka qenë dhe xhaxhai yt, sa vjeç ka qenë asokohe?
38 vjeç. La pas dy vajza. Janë dy vajza të mrekullueshme, secila ka studimet e veta, njëra me marketing dhe tjetra me IT. Janë të fejuara, po merren me punë, janë secila në atë rrugën e tyre që kanë zgjedhur.
Si e kujton xhaxhain?
E kujtoj me shumë mall. Doja të cekja pak këtë pjesën që thuhet se ka qenë një ndër protestuesit. Xhaxhai im nuk ka qenë një ndër protestuesit, por atë ditë kam patur unë ditëlindjen, kam qenë vetëm 4 vjeçe. Ai ka qenë duke më marrë një dhuratë mua në Tiranë dhe rrugës ndodhet me këtë kaos dhe ndodhi ajo që ndodhi. Ka qenë rastësor. Gjë që nuk është përmendur, po e them unë sot për herë të parë. /TAR/



