Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në Itali, ku një grua 53-vjeçare pretendon se kirurgët i lanë brenda trupit një palë gërshërë kirurgjikale pas një operacioni estetik në bark. Sipas mediave italiane, gruaja iu nënshtrua ndërhyrjes në një klinikë private në Napoli në tetor të vitit të kaluar, por pas operacionit filloi të përjetonte dhimbje të forta dhe komplikacione serioze shëndetësore.

Fillimisht, mjekët dyshuan se bëhej fjalë për simptoma normale pas operacionit dhe i përshkruan antibiotikë për një infeksion. Megjithatë, gjendja e saj vazhdoi të përkeqësohej për muaj me radhë. Vetëm shtatë muaj më vonë, gjatë një kontrolli tjetër në një klinikë të ndryshme, mjekët zbuluan shkakun e vërtetë të dhimbjeve: një palë gërshërë kirurgjikale rreth 15 centimetra të gjata të harruara në stomakun e pacientes.

53-vjeçarja ka bërë kallëzim në polici ndaj kirurgut dhe ka refuzuar të rikthehet në të njëjtën klinikë për heqjen e instrumentit. Sipas raportimeve, edhe bashkëshortja e kirurgut e ka telefonuar për t’i kërkuar falje dhe për ta bindur të rikthehej në klinikë, por ajo nuk pranoi. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për rastin, ndërsa gruaja pritet t’i nënshtrohet një operacioni tjetër për heqjen e gërshërëve.