Aktorja e famshme, Nicole Kidman, është fotografuar gjatë fundjavës në Portofino të Italisë. Ajo nuk ishte vetëm, por në shoqërinë e biznesmenit Michael Reinstein, duke ngjallur menjëherë spekulimet për jetën e saj personale.

59-vjeçarja u pa jashtë hotelit ku po qëndronte, e veshur me një set sateni, ndërsa bisedonte buzagaz me investitorin amerikan. Në fotot e publikuara nga “Page Six”, Reinstein shihet duke qëndruar pranë dritares së hotelit të Kidman dhe duke u larguar pas një bisede miqësore.

Michael Reinstein është themelues i kompanisë globale të investimeve Regent dhe bashkëthemelues i rrjetit televiziv USN. Deri tani nuk dihet se çfarë lidhjeje ka ai me aktoren dhe as nëse mes tyre ka diçka më shumë sesa miqësi, por nga fotot duket se mes tyre ka disa shkëndija.

Fotot vijnë vetëm pak muaj pasi Nicole Kidman finalizoi divorcin nga Keith Urban. Dyshja, të cilët ishin të martuar për gati 20 vite dhe kanë dy vajza së bashku, i dhanë fund zyrtarisht martesës në janar.

Pas ndarjes, Kidman u shpreh se fokusi i saj mbetet familja. Në një intervistë për “Variety”, ajo tha se do të vazhdojë të ecë përpara duke ruajtur respektin për ish-bashkëshortin dhe fëmijët e tyre.

Edhe pse emri i saj është lidhur herë pas here me persona të ndryshëm, burime pranë aktores kanë këmbëngulur se ajo është beqare dhe e përqendruar te vajzat dhe karriera e saj.

 Për momentin, mbetet e paqartë nëse takimi me Reinstein ishte thjesht miqësor apo diçka më shumë.