Mbajtja gjallë e një marrëdhënieje romantike nuk është gjithmonë e lehtë, veçanërisht pas ardhjes në jetë të fëmijëve. Shumë çifte kalojnë periudha të vështira, të cilat, nëse nuk adresohen në kohë, mund të ndikojnë seriozisht në marrëdhënie.Psikologët dhe këshilltarët e marrëdhënieve thonë se, përpara se një lidhje të përfundojë, zakonisht shfaqen disa shenja paralajmëruese. Një prej tyre lidhet me mungesën e kontaktit fizik mes partnerëve.
Sipas ekspertit të marrëdhënieve Rick Netshiozwi, një sinjal që nuk duhet neglizhuar është mënyra se si partnerët sillen me njëri-tjetrin në shtrat. “Një shenjë e qartë se një martesë po i afrohet fundit është mënyra se si flini. Kur secili prej jush qëndron në anën e vet të shtratit dhe këmbët tuaja nuk prekin më njëra-tjetrën, atëherë gjërat mund të jenë duke u bërë të vështira”, është shprehur ai në një video në TikTok.
Sipas tij, kontakti fizik është i rëndësishëm në një marrëdhënie. Nëse edhe një prekje e thjeshtë mes partnerëve krijon një ndjesi të çuditshme ose parehatie, kjo mund të jetë një shenjë se ata po largohen emocionalisht nga njëri-tjetri.
Përqafimi dhe kontakti fizik në shtrat, sipas Netshiozwi, mund të jenë tregues të një lidhjeje të fortë. Megjithatë, mënyra se si fle një çift nuk është domosdoshmërisht një matës i saktë i shëndetit të marrëdhënies.Shkenca e mbështet pjesërisht rëndësinë e prekjes. Studimet kanë treguar se kontakti fizik mund të ndikojë në rritjen e oksitocinës, hormonit që lidhet me besimin, afërsinë dhe lidhjen emocionale. Një artikull i vitit 2021, i publikuar në revistën “Neuroscience & Biobehavioral Reviews”, e përshkruan prekjen si një nga format më themelore të komunikimit njerëzor, që mund të përcjellë ndjenja afeksioni dhe të krijojë një ndjenjë afërsie.



