Aktorja e famshme, Tatum O’Neal, ka zbuluar për “People” se kishte kaluar në një mbidozë fatale të drogës tre vjet më parë. Kjo e çoi atë në një goditje në tru.

Fituesja e çmimit “Oscar”, e cila ka luftuar për një kohë të gjatë me abuzimin e substancave, e teproi me një ‘kombinim të ilaçeve kundër dhimbjeve, opiateve dhe morfinës’, të cilat e lanë atë në koma për gjashtë javë.

59-vjeçarja e cila kishte qenë e varur nga droga për 30-40 vitet e fundit tha për People se: “Për pak sa nuk vdiqa”.

Djali i O’Neal, Kevin McEnroe, së bashku me vëllezërit e motrat e tij pranuan se mendonin se do të ishte hera e fundit që flisnin me nënën e tyre.

“Ishte telefonata të cilën e kishim pritur gjithmonë. Ajo gjithashtu pati një arrest kardiak. Kishte raste që nuk mendonim se ajo do të mbijetonte”, thanë fëmijët e aktores.

Ylli i “Paper Moon” i ka kaluar vitet e fundit në qendra rehabilitimi, duke rimësuar si të lexojë, të shkruajë dhe duke punuar për të rifituar forcën dhe kujtesën e saj. Pas mbidozës, nëna e tre fëmijëve u gjet nga një mik në apartamentin e saj në Century City, Kaliforni dhe u dërgua me urgjencë në spital. Ajo u diagnostikua me afazi, një çrregullim që zakonisht ndodh pas një goditjeje në tru.