Ricardo Martins Pereira është një gazetar dhe influencues portugez, i cili ka kaluar disa ditë pushime në Shqipëri, mes Tiranës dhe Durrës. Në profilet e tij në rrjetet sociale ai ka bërë postime të ndryshme për vendin tonë, ku nuk kanë munguar fjalët e mira.

Mëngjesin e sotëm ai ishte i ftuar në emisionin “Wake Up” ku gjatë intervistës u pyet nëse ‘Shqipëria është aq e lirë sa thonë turistët”. Ricardo u shpreh se ‘është e përballueshme’.

Ke kalua një përvojë shumë të mirë me pushimet e tua në Shqipëri, uroj t’ia sugjerosh edhe miqve dhe pse jo të ktheheni vitin tjetër, por çfarë kemi dëgjuar nga turistët e huaj është se Shqipëria konsiderohet një vend i lirë, pra i përballueshëm. Për ty si kanë qenë këto pushime të kushtueshme? Shijohet Shqipëria edhe me pak lekë?

Jo aq e lirë sa e prisja, por me shumë mundësi ngaqë doja që të eksperimentoja gjëra të bukura. Është një vend i lirë nëse shkoni në supermarket dhe blini aty ushqime. Por nëse dëshironi të shkoni në restorante të mira nuk është aq lirë.

Është e përballueshme, edhe për portugezët. Portugalia është gjithashtu një vend i varfër, nuk kemi aq shumë para, nuk jemi gjermanë apo britanikë. Një gjë që di, është se ka shumë portugezë në Shqipëri, veçanërisht në zonat bregdetare si Durrës, Vlorë, Ksamil dhe Himarë.

Ajo që doja të shikoja është pikërisht se si është turizmi tani në Shqipëri, sepse Portugalia që në vitin 2015 ka investuar shumë në turizëm dhe kemi miliona turistë që vijnë në Lisbonë çdo ditë gjatë viteve”, tha influencuesi i njohur portugez.