Aktorja e njohur turke Afra Saraçoğlu ka reaguar publikisht pas lajmeve që qarkulluan një ditë më parë, sipas të cilave ajo ishte përfshirë në një hetim për substanca të ndaluara dhe analiza e flokëve kishte rezultuar pozitive për kokainë. Saraçoğlu, e cila ishte ndaluar në kuadër të hetimit dhe më pas ishte lënë e lirë, ka publikuar një deklaratë të gjatë me shkrim në Instagram, ku jep versionin e saj për ngjarjen dhe shpjegon arsyet pse kishte zgjedhur të mos fliste më herët.
Aktorja sqaron se ka pritur deri në momentin kur raporti i saj i Mjekësisë Ligjore është ngarkuar në dosje. “Arsyeja pse prita për të bërë këtë deklaratë është se raporti i Mjekësisë Ligjore në lidhje me mua u ngarkua në dosje vetëm sot”, shkruan ajo. Saraçoğlu thekson se, sapo është informuar për hetimin, ka ndërprerë udhëtimin e saj jashtë Turqisë dhe është kthyer me vullnetin e saj në vend. Sipas aktores, që prej fillimit të procesit ajo ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet gjyqësore. Një tjetër pikë që ajo veçon në deklaratën e saj është kontrolli i banesës. Afra thotë se, ndërsa ndodhej jashtë vendit, në shtëpinë e saj është kryer një kontroll, por nuk është gjetur asnjë substancë e paligjshme apo ndonjë provë tjetër që lidhej me një vepër penale.
Megjithatë, aktorja pranon se në raportin e Mjekësisë Ligjore është evidentuar një substancë gjatë analizës së mostrës së flokëve. “Në mënyrë krejt të papritur, na u komunikua se në analizën e flokëve ishte gjetur një gjurmë substance”, shprehet ajo. Pikërisht ky rezultat është bërë edhe një nga pikat kryesore të debatit, pasi raportimet për hetimin kanë pretenduar se analiza e flokëve të aktores kishte rezultuar pozitive për kokainë.
Afra Saraçoğlu, megjithatë, sjell një tjetër shpjegim për rezultatin. Ajo thotë se, bazuar në informacionet që ka marrë nga ekspertë, flokët janë të ekspozuar ndaj faktorëve të jashtëm dhe gjurmë të substancave mund të mbeten edhe përmes ekspozimit pasiv apo kontaktit të jashtëm, veçanërisht në ambiente të mbushura me njerëz. Aktorja e lidh këtë edhe me profesionin e saj, duke theksuar se merr pjesë rregullisht në evente dhe ambiente të ndryshme ku mund të ketë shumë persona.
Në të njëjtën kohë, Saraçoğlu nënvizon se analizat e gjakut dhe urinës kanë rezultuar të pastra, duke argumentuar se kjo, sipas saj, tregon se ajo nuk është përdoruese. “Analizat e gjakut dhe urinës më kanë dalë të pastra, gjë që tregon se nuk jam përdoruese,” shkruan ajo në deklaratën e saj. Në fund, aktorja falënderon ekipet e policisë dhe autoritetet gjyqësore për mënyrën se si, sipas saj, e kanë trajtuar procesin.
“Të dal në vëmendjen e publikut për një çështje të tillë ishte vërtet gjëja e fundit që do të doja”, shkruan ajo. Duke e mbyllur deklaratën, Afra Saraçoğlu shprehet kategorikisht kundër përdorimit të substancave të paligjshme: “Jam absolutisht kundër përdorimit të substancave të paligjshme; ato nuk kanë vend në jetën time dhe nuk do të kenë kurrë”. Aktorja e përfundon reagimin duke falënderuar të gjithë ata që janë shqetësuar për të, i kanë besuar dhe e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.



