Një influencuese e njohur ka përfunduar në prangat e policisë pasi akuzohet për drogim dhe grabitje turistësh të huaj në Kolumbi. Arrestimi i saj u zhvillua në Medellin, kryeqytetin e rajonit Antioquia të Kolumbisë në veriperëndim të vendit, të mërkurën (21 maj).

Influencuesja venezueliane Valentina Mor, emri i vërtetë i së cilës është Valentina Velasquez, u ndalua nga oficerët gjatë një operacioni të përbashkët të kryer nga Policia Metropolitane e Luginës së Aburra-s, njësia hetimore SIJIN dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Kolumbisë.

“Daily Star” shkruan se hetuesit kontrolluan një apartament të marrë me qira përmes një platforme dixhitale dhe oficerët thuhet se gjetën para, dokumente identiteti që i përkisnin një shtetasi amerikan, syze dielli, ora dore dhe sende të tjera me vlerë që ishin raportuar të vjedhura nga turistët.

Policia tha se Valentina dyshohej se po i afrohej vizitorëve të huaj, duke fituar besimin e tyre dhe më pas duke i droguar ata për të vjedhur sendet e tyre. Zyrtarët thanë gjithashtu se hetuesit po shqyrtonin nëse ajo veproi vetëm apo si pjesë e një rrjeti që synonte turistët në Medellin dhe Cartagena.

“Ajo tallte autoritetet në mediat sociale, pozoi me tufa parash dhe besonte se mund të fshihej pas ndjekësve dhe videove. Sot ajo përfundoi e arrestuar”, ka shkruar në mediat sociale kryebashkiaku, Federico Gutierrez.

Valentina ishte ndaluar më parë, më 1 maj, pasi dyshohet se iu gjetën pasaporta, dokumente identiteti dhe para në dorë të një vizitori të huaj në Medellin. Zyrtarët vendas thanë se ajo u lirua më vonë sepse nuk ishte paraqitur asnjë ankesë zyrtare në atë kohë.

Influencuesja u bë e famshme për herë të parë në Kolumbi në vitin 2021 pas një interviste virale në rrugë të regjistruar në Kartagjenë, në të cilën ajo foli me një theks në stilin e Medellin-it, ndërsa pretendonte se ishte nga qyteti.

Popullariteti i saj në internet u rrit më vonë përmes videove të fokusuara në festa, stil jetese luksoze dhe udhëtime, duke tërhequr miliona ndjekës në platformat e mediave sociale.