Familja mbretërore e Tajlandës është në gjendje ankthi për shëndetin e princeshës Bajrakitiyabha Mahidol, e cila ndodhet në spital prej më shumë se tre vitesh pas një kolapsi të rëndë që pësoi në vitin 2022. Sipas deklaratës së fundit të Pallatit Mbretëror, 47-vjeçarja ka pësuar përkeqësim të gjendjes dhe po shfaq “shenja jetësore të paqëndrueshme”, përfshirë tension të ulët, rrahje të çrregullta të zemrës dhe probleme me mpiksjen e gjakut.

Princesha, e njohur në Tajlandë si “Princesha Bha”, humbi ndjenjat gjatë një seance stërvitore me qen ushtarakë në dhjetor të vitit 2022 dhe që atëherë vazhdon të mbahet në jetë me pajisje mjekësore.

Pallati bëri të ditur se ajo ka zhvilluar edhe një infeksion abdominal të shkaktuar nga inflamacioni i zorrës së trashë. “Gjendja e saj ka vazhduar të përkeqësohet”, thuhet në deklaratë, ndërsa shtohet se infeksioni tashmë ka prekur edhe organe të tjera. Princesha vazhdon të mbështetet në aparatura për funksionimin e mushkërive dhe veshkave, si dhe në trajtime intensive me medikamente.