Në zemër të qytetit Pokhara në Nepal, larg ritmit të vrullshëm të jetës moderne, 160 të rinj ndjekin një rrugë krejt ndryshe. Ata jetojnë në manastirin Pema Tsal Sakya Monastic Institute, ku çdo ditë i kushtohet meditimit, filozofisë dhe zhvillimit shpirtëror. Mes tyre është edhe Pema Dondhup, një 23-vjeçar nepalez, i cili prej moshës 11-vjeçare ka zgjedhur jetën si murg budist.
Institucioni, i njohur zyrtarisht nga qeveria e Nepalit, mirëpret të rinj nga rajonet e Himalajeve, refugjatë tibetianë dhe komunitete budiste nepaleze. Studentët ndjekin studimet deri në moshën 23-vjeçare dhe nëse vendosin të largohen, marrin një certifikatë që u mundëson të vazhdojnë arsimin në institucione të tjera.
Sipas Pemas, shumë të rinj mbërrijnë në manastir për shkak të interesit për filozofinë ose me dëshirën e familjeve të tyre. “Mendoj se shumë njerëz ndihen të destinuar të jenë këtu”, shprehet ai. Dita e një murgu nis në orën 05:00 të mëngjesit me një orë reflektim. Më pas zhvillohet rituali budist i njohur si puja, ku murgjit luten, këndojnë mantra dhe përdorin instrumente tradicionale si kambanat, daullet dhe guaskat e detit. Pas një mëngjesi të thjeshtë, vazhdojnë orët e filozofisë dhe studimi në bibliotekë.
Pasdite zhvillohen sërish mësime dhe rituale fetare, ndërsa mbrëmja i kushtohet debateve filozofike, ku studentët sfidojnë njëri-tjetrin me pyetje dhe argumente, një metodë tradicionale e të mësuarit në budizmin tibetian. Një nga simbolet më të njohura të jetës monastike është edhe koka e rruar. Përveç aspektit praktik, ajo simbolizon heqjen dorë nga vaniteti dhe lidhjet materiale. Sipas rregullave të manastirit, flokët priten çdo dy javë.
Megjithatë, zgjedhja për të qenë murg nuk është e përhershme. Pema shpjegon se kushdo mund të largohet në çdo moment pa paragjykime. Ai tregon se një nga miqtë e tij, pasi përfundoi studimet në manastir, vijoi universitetin për mjekësi në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse jetojnë larg zhurmës së botës moderne, murgjit përdorin telefonat celularë për të komunikuar me familjet ose për t’u informuar.



