I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë gazetari Bledi Mane, për të folur më shumë për mendimin e tij mbi protestën popullore në vend, por jo vetëm…

Pjesë nga intervista:

Çfarë tregoi kjo protestë për politikën dhe për qytetarët?

Duhet t’i bëjmë një analizë socio-psikologjike kësaj proteste sepse në radhë të parë na nxori lakuriq të gjithëve përballë njëri-tjetrit. Së pari nxori në pah shpirtin e protestës që njerëzit e kishin akumuluar, sepse edhe opozita e kishte keqpërdorur institucionin e protestës, molotov, sharje, ofendime, dhunë. Rama vazhdon dhe nuk duhet i trembur edhe pas kësaj proteste. Ndonjëherë i besoj Fred Cakos që thotë se këto protesta i stimulon vetë Rama për të testuar  veten dhe për të pastruar veten, partinë dhe qeverinë e tij. Gjithsesi kjo protestë na nxori lakuriq përballë njëri-tjetrit sepse unë vura re një hendek të madh kulturor dhe arsimor. Ti e kupton ndoshta komshiun, që vishet bukur, parfummoset, përshëndetet në mëngjes dhe vetëm kaq.

E ti nuk e di që kishe një komshi kaq të dhunshëm, apo një komshi kaq injorant, ose një komshi kaq të dashur, kaq qytetar. Koha në Tiranë nuk të jep kohë që t’i njohësh njerëzit, sepse çdokush vrapon, edhe për në kafe në Bllok këtu vrapojnë. Por vura re një pjesë kolegësh gazetarë, njerëz të dëshpëruar që shkojnë në protestë sepse nuk janë të kënaqur me veten. Nuk ta ka fajin qeveria pse ti nuk ke dashnor apo dashnore. Unë dhe ti kemi aq njohje sa diku t’i zgjidhim gjërat tona. Unë po flas për këtë turmën e gazetarëve protestues. Gazetarë që punojnë në media që janë pro qeverisë dhe nuk ndëshkohen. Kjo është liri. Unë di portale të tëra gazetash që janë deklaruar pro Ramës dhe stafet e tyre janë aty çdo darkë. Shumë njerëz, problemet e tyre sociale i akumuluan dhe kishin nevojë të zbrazeshin. Dhe mirë bënë.

Është si puna e frigoriferit dhe ngrin dhe një ditë ti do e heqësh nga priza që të shkrijë dhe të pastrohet. Më i sinqertë m’u duk Genardi që i thoshte Ramës ‘më nxirr Sonidën nga spitali dhe kjo është arsyeja që jam këtu.’ Pra një arsye organike, një arsye e sinqertë. Ti shikon aty njerëz të bukur, të kuruar, madje ne kemi vajzën tek “Rrethi Katror” (Rizarta) që ka bërë video ‘çfarë do vesh sot në protestë’. Tregon që shtresa e mesme është pak xheloze për milionerët e rinj të Tiranës. Statistikat tregojnë që Shqipëria ka gati 5 mijë milionerë, pra njerëz që kanë arritur të kenë depozita në bankë minimumi 1 milion euro. /TAR/