Gjatë një interviste për emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, psikologia Loreta Caka ka folur më shumë lidhur me dashurinë, obsesionin apo tradhtinë…
E pyetur ‘pse kemi tendencën për të dashuruar më shumë ata që nuk na duan apo ata që na refuzojnë?’, ajo u përgjigj:
“Sepse ne shpeshherë nuk dashurohemi me personin, dashurohemi me gjërat e pamundura, me refuzimin, me ftohtësinë. Truri ynë shpeshherë këtë nuk e sheh si refuzim, por e sheh si sfidë. Ne jemi mësuar të sfidojmë veten tonë jo vetëm në dashuri, por dhe në çdo lloj konteksti tjetër të jetës. Dashur pa dashur gabojmë, në dashuri nuk duhet të ekzistojë kjo, që të sfidojmë veten për të arritur dikë. Sepse automatikisht në sfidojmë veten, ne jemi të palumtur, ne vendosim para vetes tonë dikë që në fund të ditës nuk na jep asgjë mbrapsht. Ne japim shumë por nga ai marrim thjesht refuzim dhe ftohtësi. Por duke qenë se ne jemi mësuar të sfidojmë veten çdo ditë, e ngatërrojmë këtë edhe me dashurinë. Në të vërtetë është obsesion, nuk është dashuri. Dashuria të fal qetësi, dashuria të jep siguri, dashuria të jep rehati. Nuk të jep dashuria sfida, nuk të thotë dashuria humb veten ti për të më arritur mua. Ky është thjesht obsesion. Si në çdo gjë tjetër, si në punë. Kur është një punë që ne e duam se s’bën por kemi shumë sfida, ne vazhdojmë dhe punojmë për të arritur diçka. Por në fund të ditës ne nga puna marrim benefite, por nga kjo dashuri ne nuk do marrim asnjë benefit, përveç se do humbasim veten”.



