Në një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së Lionel Messit, ishte pikërisht Cristiano Ronaldo ai që zgjodhi t’i dërgonte një mesazh plot respekt. Pas lamtumirës së Messit me kombëtaren argjentinase, Ronaldo reagoi në postimin e yllit të Argjentinës, duke vlerësuar vitet e tij me fanellën “albiceleste” dhe gjithçka që ka arritur me vendin e tij.

“Leo, kaq shumë vite duke mbrojtur vendin tënd dhe një histori që do të mbetet përgjithmonë. I gjithë respekti im për atë që ke arritur me Argjentinën. Një përqafim”, shkroi Ronaldo. Mesazhi i portugezit vjen pas ndeshjes miqësore të Argjentinës me Beninin në Buenos Aires, ku Messi i dha lamtumirën emocionale futbollit ndërkombëtar.

Karrierat e dy yjeve kanë ndjekur një rrugëtim të ngjashëm dhe për shumë vite janë kryqëzuar në futbollin e klubeve dhe atë ndërkombëtar. Rivaliteti i tyre u kthye në një nga historitë më të mëdha të futbollit modern, duke dominuar skenën botërore për më shumë se 15 vite.

Së bashku, Messi dhe Ronaldo kanë fituar 13 herë “Topin e Artë”, ndërsa rivaliteti i tyre mori përmasa edhe më të mëdha gjatë nëntë viteve kur u përballën në Spanjë, Messi me Barcelonën dhe Ronaldo me Real Madridin.