Një letër dashurie e shkruar nga Amy Winehouse për bashkëshortin e saj, Blake Fielder-Civil, është shitur në ankand për 4,940 paund, përfshirë tarifat. Letra, e cila nuk ishte bërë më parë publike, ishte shkruar në shkurt të vitit 2009, ndërsa Fielder-Civil ndodhej në burg në Suffolk. Në atë kohë, ai kishte nisur procedurat për divorc, ndërsa Winehouse ndodhej me pushime në Karaibe.
Në kartolinën e Shën Valentinit, këngëtarja i drejtohej bashkëshortit me fjalë romantike dhe i shprehte dashurinë e saj, duke e mbyllur mesazhin me një puthje dhe zemra të vizatuara.
Objekti u nxor në shitje nga shtëpia e ankandeve Ewbank’s në Guildford, Surrey. Fillimisht ishte vlerësuar se do të shitej për 2,000 deri në 4,000 paund, por çmimi përfundimtar tejkaloi pritshmëritë. Letra shoqërohej edhe nga zarfi i adresuar për Fielder-Civil në burg, me pulla postare nga Shën Luçia.
Historia e çiftit përfundoi disa muaj më vonë. Pavarësisht përpjekjeve për t’u pajtuar, Amy Winehouse dhe Blake Fielder-Civil u divorcuan në korrik të vitit 2009. Fielder-Civil ishte dënuar me 27 muaj burg në vitin 2008 për sulmin ndaj pronarit të një pub-i dhe tentativën për ta bindur atë të tërhiqte deklaratën në polici.



