Studiuesi i bio-energjisë, Edmond Vlashaj, ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka folur më shumë për energjinë, manifestimin dhe jo vetëm…
Pjesë nga intervista:
Ka njerëz që i kanë sinjale shumë të forta ëndrrat, gjejnë ngjarje të caktuara, e dinë patjetër se do të ndodhë diçka e keqe ose e mirë. Frojdi ka bërë studime të shumta për ëndrrat por sot ende nuk ka një përkufizim të saktë. Çfarë ndodh realisht me këto raste?
Në këtë aspekt mua më pëlqen Vadim Zeland, është një autor rus që tani jeton në Amerikë. Është fizikant dhe përçues i fizikës kuantike dhe sa i referohet ëndrrave por dhe gjërave të tjera në jetë, ëndrrat dhe vegimet që nuk të japin një ndjesi ose një impresion të mirë, thjesht mos i jep rëndësi dhe mos i përmend fare. Në mënyrë që të mos i shumëfishosh dhe të mos i tërheqësh në realitetin tënd praktik të përditshëm. Atë që është e mirë, thuaje, sepse shumëfishohet, nxirre me fjalën tënde, me energjinë tënde.
Nxirre si farë dhe mbushe atë fushën tënde kuantike, kozmike dhe energjitike, me këtë farë të mirë. Ato që janë jo të mira, sepse mund të jenë dhe mbingarkesë e lodhjes psiko-emocionale që mund të kesh pësuar në vite, ato janë akumuluar pastaj në nënvetëdije, janë futur prej vetëdijes si fotografi ose si video dhe janë akumuluar në nënvetëdije. Nënvetëdija është mbingarkuar për shkak të stresit dhe do ta shkarkojë si përjetim jo të mirë. Por në momentin që ti ua thua të tjerëve dhe e mban si fiksim tek mendja jote, do ta shumosh dhe do ta shumëfishosh dhe do ta shndërrosh në realitet me patjetër. Pastaj do thuash që të doli ëndrra. Faktikisht nuk është se të doli ëndrra, ti vetë e prodhove atë ëndërr në realitet.



