Rike Roçi ka folur hapur për besimin dhe raportin e saj me fenë, pas një mesazhi që mori së fundmi nga një ndjekës në Instagram. Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, e cila në fillim të këtij viti vizitoi vendet e shenjta dhe kreu Umren, është përballur me një koment nga një ndjekës që e këshillonte t’i përkushtohej edhe më shumë fesë islame.

“Ktheju fesë Islame ende më mirë sepse je diamant vajzë, mos lejo të përdorin profilin tënd materialistët”, i shkroi ndjekësi. Rike vendosi të mos e lërë pa përgjigje komentin dhe zgjodhi të sqaronte publikisht raportin e saj me besimin.

“Ta sqarojmë njëherë e mirë këtë gjë. Besoj, dhe besoj shumë. Me kismet, do ta bëj përsëri Umren.” Më tej, Rike pranoi se, si çdo njeri, edhe ajo e konsideron veten mëkatare dhe se ndonjëherë ndihet “e padenjë” për fenë, por theksoi se marrëdhënia e secilit me Zotin është personale. “Mendoj se secili prej nesh e di vetë çfarë lidhjeje ka me Atë lart. Në fund, rëndësi ka që Ai e njeh shpirtin tim, e di çfarë kam në zemër dhe kjo më mjafton.

Me këtë reagim, Rike Roci bëri të qartë se besimi është një çështje personale për të dhe se nuk dëshiron që marrëdhënia e saj me fenë të gjykohet vetëm nga ajo që publikon apo nuk publikon në rrjetet sociale.