Një studim i zhvilluar gjatë viteve 2024–2025 nga DatePsychology tregon një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si të rinjtë krijojnë marrëdhënie. Sipas të dhënave, rreth 45% e djemve të moshës 18–25 vjeç, pjesë e Gen Z, thonë se nuk i kanë kërkuar kurrë një vajze takim drejtpërdrejt, në jetën reale.
Studimi e lidh këtë prirje me rritjen e takimeve përmes aplikacioneve dhe rrjeteve sociale, ndërsa ndër arsyet e përmendura nga të rinjtë janë ankthi social dhe frika nga refuzimi. Në vend të njohjeve tradicionale, komunikimi online duket se po bëhet gjithnjë e më shumë pika e parë e kontaktit për një pjesë të kësaj gjenerate.
Gjenerata Z po sjell një mënyrë të re të të menduarit për dashurinë, seksualitetin dhe marrëdhëniet intime. Për shumë të rinj të kësaj gjenerate, komunikimi i hapur, respekti për kufijtë personalë dhe konsensusi janë bërë pjesë e rëndësishme e një marrëdhënieje të shëndetshme.
Ndryshe nga gjeneratat e mëparshme, Gen Z ka më shumë akses në informacion përmes internetit dhe rrjeteve sociale. Kjo ka ndikuar në mënyrën se si të rinjtë informohen për seksualitetin, por njëkohësisht i ka ekspozuar ndaj pritshmërive jorealiste dhe presionit social. Përmbajtjet online, pornografia dhe kultura e “dating apps” mund të ndikojnë në mënyrën se si perceptohen intimiteti dhe marrëdhëniet.




