Pesë adoleshentë humbën jetën në një aksident tragjik, pasi makina e tyre lëvizte në drejtimin e kundërt në autostradë. Viktimat janë nga 15 deri në 18 vjeç. Katër persona që ndodheshin në makinën tjetër, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje, mbetën të plagosur rëndë në aksidentin e ndodhur në autostradën M9, në qarkun Kildare të Britanisë, në orët e para të mëngjesit të së dielës. Mes tyre janë tre gra dhe një djalë 7-vjeçar, ndërsa personat që ndodheshin në sediljet e përparme po luftojnë për jetën në spital.
Pesë adoleshentët ndodheshin në një BMW që lëvizte në drejtimin e kundërt të autostradës, kur rreth orës 03:00 u përplasën me Hyundai-n e familjes, e cila po udhëtonte drejt aeroportit të Dublinit. Të pesë personat që ndodheshin në BMW, e cila më herët nuk ishte ndaluar nga policia, humbën jetën. Drejtuesja 40-vjeçare e Hyundai-t dhe pasagjerja në sediljen e përparme, rreth të 30-ave, ndodhen në gjendje kritike për jetën në spitalin Tallaght.
Një djalë 7-vjeçar dhe një grua rreth të 20-ave, të cilët ndodheshin në sediljet e pasme, janë në gjendje të rëndë në spital. Të katër anëtarët e familjes po udhëtonin drejt aeroportit të Dublinit, nga ku do të niseshin për pushime, kur ndodhi aksidenti tragjik mes kryqëzimeve 3 dhe 4 të autostradës. Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se BMW-ja e përfshirë në aksident nuk rezulton të ishte e vjedhur. Autoritetet besojnë se automjeti mund të jetë shitur kundrejt pagesës në para nga pronari i pafajshëm, te një person i lidhur me adoleshentët. Trupat e pesë adoleshentëve u nxorën mbrëmjen e kaluar nga rrënojat e makinës, pasi ekspertët mjekoligjorë përfunduan ekzaminimin e vendngjarjes. Ekzaminimet post-mortem pritet të kryhen gjatë ditës së sotme.
Policia irlandeze do të marrë “çdo burim që do të kërkojë” për të luftuar drejtimin e rrezikshëm të automjeteve, njoftoi ministri i Drejtësisë i vendit. Mes masave të reja parashikohet edhe trajnimi për ndjekjet policore, për herë të parë. Jim O’Callaghan dënoi drejtimin “e pamatur” që shkaktoi aksidentin në autostradën M9, duke e cilësuar atë si “sjellje kriminale jashtëzakonisht të rrezikshme”. Ai tha se drejtimi i automjetit në drejtimin e kundërt të një autostrade është “vdekjeprurësisht i rrezikshëm”, duke shtuar: “Kjo duhet të ndalojë.”
Ministri ka zhvilluar sot një bisedë me komisionerin e Gardës. Një prift në Carlow, i cili ka qenë në kontakt me familjet e prekura, tha se në zonë mbizotëron një atmosferë “trishtimi” dhe “mosbesimi”, por edhe “shprese” për personat e plagosur. Atë Tom Little tha për RTE’s News at One: “Kjo na bën të kuptojmë gjithashtu rrezikun në rrugë dhe nevojën për të qenë të kujdesshëm.” Ndërkohë, drejtori i një shkolle në Carlow tha se qyteti është “i mpirë” nga dhimbja. Drejtori i St Joseph’s National School dhe këshilltari i Fine Gael, Fergal Browne, tha në të njëjtin emision: “Ka një gamë të madhe emocionesh. Kjo është një tragjedi në kaq shumë nivele dhe do të duhet shumë kohë për t’u rikuperuar.”
Browne tha se njerëzit po përpiqen ta përballojnë përzierjen e zemërimit dhe dhimbjes duke u mbështetur te besimi fetar, ndërsa vlerësoi punën e priftërinjve lokalë në komunitet. Ai gjithashtu lavdëroi shërbimet e emergjencës për mënyrën se si përballuan pasojat e aksidentit, duke thënë: “Shpresoj që edhe ata të marrin mbështetjen që meritojnë.” “Njerëzit po mendojnë për familjen që u përfshi në aksident ndërsa po udhëtonte drejt aeroportit dhe të gjithë shpresojnë që ata të shërohen plotësisht. Ndërkohë, familjet e personave që humbën jetën po përjetojnë një dhimbje të madhe dhe kanë përpara një rrugëtim të gjatë e të vështirë”, shtoi ai.
Një organizatë që përfaqëson punonjësit e policisë irlandeze, An Garda Síochána, tha se ishte dhënë udhëzim që automjeti që po lëvizte në drejtimin e kundërt të autostradës të mos ndiqej nga policia. Garda Representative Association (GRA) tha se anëtarët e saj janë “të gjithë në gjendje shoku” pas “incidentit të tmerrshëm”.
Komisioneri i Gardës, Justin Kelly, e cilësoi përplasjen kokë më kokë mes kryqëzimeve 3 dhe 4 si “të tmerrshme” dhe paralajmëroi se, “në disa raste”, automjetet po drejtohen në krahun e gabuar të autostradave për të siguruar pëlqime në rrjetet sociale. Kryeministri irlandez Micheál Martin e cilësoi aksidentin si pasojë të “një akti të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm”. Ai shtoi: “Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjen që është plagosur. Uroj që ata të shërohen plotësisht. Si pasojë e kësaj ngjarjeje kanë humbur jetën edhe pesë adoleshentë.”




