Ish-basketbollisti i kombëtares së Republikës Domenikane, Dagoberto Peña, është dënuar në Shtetet e Bashkuara me 60 vite burg për krime të rënda që lidhen me abuzimin seksual ndaj të miturve. Lajmi ka shkaktuar tronditje në botën e sportit, pasi Peña vetëm pak vite më parë përfaqësonte vendin e tij në Kupën e Botës.

Basketbollisti kishte ndërtuar karrierën kryesisht në Spanjë, ku luajti për skuadra si FC Barcelona B, Estudiantes, Breogán dhe Básquet Coruña. Ai konsiderohej një lojtar i rëndësishëm në repartin ofensiv dhe e mbylli karrierën profesionale në vitin 2023 me ekipin Club Deportivo Estela.

Pas tërheqjes nga basketbolli, Peña u zhvendos në Florida, ku punonte si mësues edukimi fizik dhe trajner sportiv. Megjithatë, hetimet zbuluan se aktiviteti i tij shërbente si mbulim për veprimtari kriminale. Sipas autoriteteve amerikane, hetimi nisi në vitin 2025, pasi babai i një prej viktimave zbuloi komunikime të dyshimta mes fëmijës së tij dhe ish-basketbollistit.

Më pas, gjatë kontrolleve dhe analizimit të pajisjeve elektronike, hetuesit zbuluan materiale të papërshtatshme dhe prova që tregonin se Peña kishte filmuar abuzime ndaj dy të miturve.

Gjithashtu, u gjetën prova për shfrytëzimin e një tjetër fëmije. Pas gjykimit, autoritetet amerikane vendosën dënimin maksimal prej 60 vitesh burg, ndërsa rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe komunitetin sportiv.