Një fëmijë është goditur nga rryma elektrike me 30 mijë volt dhe ka mbetur i varur në një shtyllë të tensionit të lartë, ndërsa po përpiqej të bënte fotografi, në kuadër të një trendi të ri dhe të rrezikshëm në rrjetet sociale. Vajza 12-vjeçare dyshohet se po ngjitej në një shtyllë të tensionit të lartë për të bërë fotografi, me synimin për t’i publikuar ato në internet. Ajo pësoi djegie të rënda dhe tani po lufton për jetën në spital.
Aksidenti i tmerrshëm ndodhi në Navahermosa, pranë Toledos, në Spanjën qendrore. Ngjarja iu raportua shërbimeve të emergjencës në orën 18:46 të së hënës. Vajza kishte prekur një linjë elektrike teksa po ngjitej në shtyllën e tensionit të lartë dhe pësoi një goditje masive elektrike, duke mbetur e varur në ajër. Zjarrfikësit nga Talavera de la Reina, në Toledo, mbërritën me urgjencë në vendngjarje për ta shpëtuar.
Ata ndërprenë furnizimin me energji elektrike përpara se të ngjiteshin në kullë për të shpëtuar vajzën. Mjekët e urgjencës i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje, përpara se ajo të transportohej me ambulancë në Spitalin Universitar La Paz në Madrid.
Vajza vijon të jetë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Zjarrfikësit kanë paralajmëruar kundër një tendence shqetësuese për të provuar “sfida të rrezikshme dhe pothuajse të pamundura” me qëllim realizimin e fotove për rrjetet sociale. “Një foto nuk ia vlen të rrezikosh jetën”, paralajmëruan ata, duke shtuar se “asnjë foto, video apo postim nuk ia vlen të marrësh një rrezik të tillë”. Zjarrfikësit shtuan se ngjitja në shtyllat e tensionit të lartë mund të shkaktojë goditje vdekjeprurëse elektrike edhe nëse personi nuk e prek drejtpërdrejt linjën elektrike.
Në një deklaratë, shërbimi zjarrfikës tha: “Operacion për shpëtimin e një personi që ishte ngjitur në një kullë elektrike dhe kishte pësuar një goditje elektrike. “Përpara nisjes së operacionit të shpëtimit, rreziku elektrik u eliminua duke konfirmuar se instalimi ishte çaktivizuar dhe nuk kishte tension. “Më pas, personi u sigurua dhe u ul duke përdorur një automjet me shkallë ajrore, ndërsa më pas iu dorëzua shërbimeve mjekësore.”




