Një lajm i trishtë ka tronditur fansat e serialeve turke. Aktori i njohur Serhat Mustafa Kılıç, i cili ka qenë pjesë e disa produksioneve të njohura, mes tyre edhe seriali “Ezel”, është ndarë papritur nga jeta në moshën 51-vjeçare.

Kılıç u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Stamboll, pasi miqtë dhe partnerja e tij kishin humbur kontaktet me të. Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur zyrtarisht, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat.

Partnerja e tij, Ozlem Esmergül, me të cilën aktori kishte qenë në një lidhje prej rreth tetë vitesh, ka rrëfyer para policisë ditët e fundit të jetës së tij. Sipas dëshmisë së saj, më 3 shtator Kılıç nuk kishte shkuar në xhirime, pasi vuante nga dhimbje të forta për shkak të një hernie diskale në qafë.

Ajo tregoi se aktori e kishte telefonuar më vonë gjatë ditës dhe, me zë të përlotur, i kishte thënë se ishte larguar nga projekti ku po punonte. Kılıç i kishte thënë gjithashtu se dhimbjet vazhdonin dhe se nuk dëshironte të takonte askënd.

Kur nuk mori më përgjigje prej tij dhe pa se telefoni i aktorit ishte fikur, partnerja shkoi në banesën e tij më 5 shtator. Aty ajo e gjeti Kılıçin të pajetë në dhomën e ndenjjes dhe njoftoi menjëherë familjen dhe shërbimet e emergjencës.

Në dëshminë e saj, Esmergul tha se, sipas dijenisë së saj, aktori vuante nga tensioni i lartë i gjakut, gastriti dhe hernia diskale në qafë dhe përdorte disa medikamente. Ajo deklaroi gjithashtu se nuk kishte dijeni për përdorim të alkoolit apo substancave.

Lajmi i vdekjes së tij ka shkaktuar dhimbje të madhe te kolegët. Në ceremoninë përkujtimore në Stamboll, partnerja e tij nuk mundi t’i mbante lotët, ndërsa aktorë të shumtë e kujtuan me fjalë prekëse.

Aktori ishte i njohur për publikun turk nga një sërë serialesh, filmash dhe shfaqjesh teatrale. Ai ka qenë pjesë edhe e “Ezel”, një prej serialeve turke më të njohura ndër vite, i cili ka pasur një audiencë të madhe edhe në Shqipëri.

Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas përfundimit të ekzaminimeve mjekoligjore.