Personazhe të njohur, regjisorë dhe krijues morën pjesë në edicionin e 12-të të Africa Magic Viewers’ Choice Awards (AMVCA) në Nigeri me veshje ekstravagante, fustane skulpturore, materiale me shkëlqim dhe dizajne teatrale, duke e kthyer edhe një herë ceremoninë nga një event çmimesh në një spektakël mode.
Ceremonia u mbajt në hotelin Eko Hotel and Suites në Lagos dhe feston arritjet në filmin afrikan, televizion dhe tregimin digjital, ndërsa njëkohësisht shërben si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të kontinentit, ku të famshmit konkurrojnë jo vetëm për çmime, por edhe për titullin e personazhit më të veshur të mbrëmjes.

Tapeti i kuq këtë vit u dominua nga veshje të ekzagjeruara dhe shumë dramatike. Disa personazhe mbërritën të shoqëruar nga ekipe ndihmëse që mbanin fustanet gjigante mes turmës së fotografëve dhe fansave. Një nga paraqitjet më të komentuara ishte ajo e yllit të reality show-t, Queen Mercy Atang, e cila u shfaq me një fustan të realizuar nga më shumë se 500 bukë.
E rrethuar nga dy vajza që mbanin tabaka me bukë dhe disa ndihmës që transportonin fustanin, Atang e kishte të vështirë të lëvizte lirshëm. Në një intervistë për BBC, ajo tha se veshja ishte krijuar për të promovuar biznesin e saj të bukës dhe këmbënguli se ideja ishte marketing i menduar dhe jo thjesht për të tërhequr vëmendje.
“Ku tjetër mund ta reklamoj biznesin tim më mirë sesa në AMVCA?” tha ajo.Fustani u krijua nga stilistja e njohur Toyin Lawani e Tiannah’s Empire, e cila shkroi në Instagram se po nis një trend të ri: “secili të veshë biznesin e vet”. Pamja u bë menjëherë një nga temat më të diskutuara në rrjetet sociale.




