Një nga vullkanet më vdekjeprurëse në histori, Mali Pelée në ishullin francez të Martinikës, po shfaq sërish shenja aktiviteti pas dekadash qetësie, duke shtuar vigjilencën e shkencëtarëve. Vullkani, i cili në vitin 1902 shkatërroi qytetin Saint-Pierre dhe vrau rreth 30 mijë persona brenda pak minutash, po monitorohet nga afër për shkak të rritjes së aktivitetit sizmik.

Sipas Observatorit Vullkanologjik dhe Sizmologjik të Martinikës, vetëm në periudhën 24-31 korrik janë regjistruar 124 tërmete vullkanike, gati trefishi i javës paraardhëse, kur u regjistruan 45 lëkundje. Në total, gjatë muajit korrik u evidentuan 331 tërmete, mesatarisht rreth 85 çdo javë.

Ekspertët shpjegojnë se këto tërmete mund të shkaktohen nga lëvizja e magmës ose e lëngjeve me presion nën sipërfaqe, por theksojnë se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se një shpërthim është i afërt.

Përveç aktivitetit sizmik, shkencëtarët kanë konstatuar se toka rreth majës së vullkanit është fryrë me disa centimetra që prej muajit maj, duke u ngritur me ritmin e afro 1 centimetri në muaj. Ky deformim lidhet me një burim nën presion rreth një kilometër nën majën e Pelée.

Autoritetet kanë mbajtur në fuqi nivelin e alarmit të verdhë, që nënkupton aktivitet më të lartë se normalja, por pa rrezik të menjëhershëm për shpërthim. Në rast të një erupsioni të madh, Mali Pelée mund të lëshojë re të nxehta me gaz, hi dhe shkëmbinj mbi veri të Martinikës, ndërsa hiri vullkanik mund të detyrojë devijimin ose anulimin e fluturimeve në pjesë të Karaibeve, pasi paraqet rrezik serioz për motorët e avionëve.