
Mediat në gjuhën maqedonase në Shkup bëjnë të ditur se emri i parë që pritet të zgjidhet në bazë të marrëveshjes ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së është Telat Xhaferi, i cili pritet të rizgjidhet në postin e kreut të Kuvendit.
Ditën e djeshme janë mbyllur negociatat e gjata disaditore teknike mes numrave dy të dy partive; Artan Grubi dhe Ljupço Nikollovski, ndërkohë që sot pritet takimi direkt ndërmjet Zaevit e Ahmetit për emrat e ministrave.
Shqiptarët mësohet se kanë arritur të marrin ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Financave, por gjithsesi negociatat ende nuk kanë përfunduar.
Zyrtarë të BDI të pyetur nga Shqip, bën të ditur se duhet pritur edhe pak për emrat pasi po zhvillohen ende bisedimet.
“Besoj sot ta mbyllim, nesër ta konfirmojme në organet partiake, pasnesër të fillojmë procedurat në Kuvend, me zgjedhje të Kryetarit të Kuvendit e menjëherë pastaj edhe ta propozojme programin dhe përberjen qeverisë”, deklaroi Grubi për Shqip, i cili theksoi se për të folur për emrat duhet pritur se gjithçka mund të vendoset.
Takimi me Zaevin dhe Ali Ahmetit është lënë për pas mesditës, përkatësisht në orën 14.00. Deklarata e djeshme e BDI-së nënvizonte se “duke pasur parasysh urgjencën dhe nevojën për veprimin e shpejt të institucioneve kyçe në vend për zgjidhjen e sfidave shëndetësore dhe ekonomike të lidhura me Covid-19, do të mbahet takimi kyç mes Ahmetit dhe Zaevit ku pritet të arrihet marrëveshja vendimtare për Qeveri të re, stabile e përkushtuar me mandate katërvjeçar”.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


