Të gjithë e dimë që kremi mbrojtës nga dielli është një hap i domosdoshëm në rutinën e përditshme të kujdesit për lëkurën. Megjithatë, ajo që shpesh na ngatërron është sasia e duhur: sa është mjaftueshëm për të siguruar mbrojtje reale dhe efektive? Pavarësisht nëse përdorni grim apo preferoni një pamje natyrale, kremi kundër diellit nuk duhet të mungojë asnjëherë. Ai nuk është vetëm një hap shtesë, por baza e një lëkure të shëndetshme dhe të mbrojtur nga dëmet e rrezeve UV.
Rregulli i “dy gishtave”
Një nga mënyrat më të thjeshta dhe praktike për të matur sasinë e duhur është i ashtuquajturi “rregulli i dy gishtave”. Aplikoni kremin përgjatë gishtit tregues dhe atij të mesëm, kjo sasi konsiderohet ideale për të mbuluar të gjithë fytyrën në mënyrë të njëtrajtshme. Në terma më konkretë, kjo përkthehet në rreth gjysmë luge çaji.
Si të zgjidhni kremin e duhur
Kur vjen puna te zgjedhja e produktit, ekspertët rekomandojnë përdorimin e kremrave me spektër të gjerë dhe me SPF 30 ose më të lartë. Nëse kaloni shumë kohë jashtë, SPF 50 është një zgjedhje edhe më e sigurt për mbrojtje maksimale. Por duhet të dini asnjë krem dielli nuk zgjat gjithë ditën. Për të ruajtur efektivitetin, është e rëndësishme ta riaplikoni çdo dy orë, si dhe pas djersitjes, notit apo prekjes së shpeshtë të fytyrës.
Po nëse përdorni grim?
Lajmi i mirë është se nuk keni pse të hiqni dorë nga grimi për të mbrojtur lëkurën. Sot ekzistojnë alternativa shumë praktike si kremrat diellorë në formë pudre apo spreji, të cilët aplikohen lehtësisht pa prishur make-up-in. Gjithashtu, mund të zgjidhni produkte kozmetike që përmbajnë SPF për një shtresë shtesë mbrojtjeje.
Zgjidhni formulën sipas lëkurës
Jo çdo krem është i përshtatshëm për çdo tip lëkure. Nëse keni lëkurë të yndyrshme ose mikse, zgjidhni formula të lehta, pa vaj, që nuk rëndojnë dhe japin një efekt mat. Ndërsa për lëkurën e thatë, janë më të përshtatshme kremrat me teksturë më të pasur dhe përbërës hidratues që ushqejnë në thellësi. Në fund të ditës, përdorimi korrekt i kremit të diellit nuk është thjesht një hap bukurie, por një investim i rëndësishëm për shëndetin dhe pamjen e lëkurës në afatgjatë. Një sasi e vogël, e aplikuar siç duhet, mund të bëjë një ndryshim të madh.


