Edhe Shqipëria sikurse vendet e tjera në Evropë e botë është e përfshirë nga debati nëse vendimi për hapjen e shkollave është i duhuri, nisur nga ritmi i shtuar i rasteve pozitive me koronavirus.


Alban Ylli, një nga hartuesit e studimit mbi imunitetin e krijuar në shoqëri pas përhapjes së koronavirusit, mbështet tezën e tij pasqyruar dhe në raportin e Akademisë së Shkencave që shkollat nuk duhet të hapen.


I pyetur nga gazeta “Shqip”, epidemiologu Alban Ylli tha se sipas vendimit të sotëm shkollat do të hapen aty ku kaluan valën e madhe në pranverë dhe tani duket se kanë një situatë më të qetë.


“Bazuar në strategjinë e normalizimit nëse situata vijon kështu si sot, nuk duhet të fillojë mësim masivisht në klasë. Do të rriste shumë riskun dhe sistemi shëndetësor mund të mos e përballojë situatën”, u shpreh specialist i Shëndetit Publik, Alban Ylli.


Që në muajin maj, shkollave dhe universiteteve u është kërkuar të hartojnë udhëzime të reja sa i takon masave anti Covid. Mendohet se bazuar në këto udhëzime do të nisë dhe viti i ri shkollor dhe akademik.


Ministrja e Arsimit, Besa Shahini gjatë daljes për mediat theksoi se për universitetet do të vijojë të zbatohet udhëzimi për zhvillimin e leksioneve online dhe vetëm zhvillimin e provimeve në auditore.


Ajo çka shihet me shumë frikë dhe skepticizëm nga ekspertët e shëndetit publik janë fëmijët dhe gjimnazistët. Të dyja target grupet, për shkak të nevojës për t’u shoqëruar nga prindërit, si dhe nevoja për të ndjekur mësimin në klasa ku qëndrojnë mbi 30 nxënës, numër i konsiderueshëm për të qenë vatër e përhapjes së virusit Covid-19.



©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.