Kryeministri Edi Rama prezantoi sot me radhë emrat që do të kryesojnë listat e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit, ku spikasin prurjet e reja, gratë dhe vajzat.

Me sloganin “Shqipëria, e ardhmja jonë”, Rama tha se PS futet në garën e 25 prillit për të marrë minimumi 78 mandate dhe maksimumi 88.

10 prej qarqeve të vendit do të kryesohen nga gratë, ndërsa kryeministri a zgjedhur të sfidojë veten duke garuar në zonën e “kufirit”, siç e quajti ai.

Erjon Braçe është e vetmja figurë e PS që do kryesojë një listë, konkretisht Fierin, ndërsa në Dibër i pari në listë do jetë një emigrant.

Tirana, si kurrë më parë, ka dy persona në vend të parë, pasi siç tha Rama, nuk i ndante dot. Najada Çomo dhe Luljeta Bozo do kryesojnë listën e kryeqytetit.

Në Shkodër do jetë e para Edona Bilali, në Vlorë Pranvera Resulaj, në Kukës Greta Duraku, në Korçë Eni Zake, në Berat Hatixhe Konomi, në Elbasan Evis Kushi, në Lezhë Lindita Nikolla, në Gjirokastër Mirela Kumbaro dhe në Durrës Milva Ikonomi.

Lista e plotë e vendeve të para në 12 qarqet

Edona Bilali është vendi i parë në listën e Shkodrës. “Është një prurje krejt e re, vjen nga aktivizmi në komunitet, të rinjtë dhe të rejat në Shkodër e njohin, por besoj shumë që e njohin edhe të tjerë. Është fakt që në përgjithësi gjithë rrjeti i biznesit në Shkodër e njeh pikërisht sepse punon me ta”, tha Rama

Pranvera Resulaj është vendi i parë në Vlorë. “Është një kandidate e mbështetur me shumë këmbëngulje nga i gjithë komuniteti i biznesit të Vlorës”, tha Rama.


Greta Duraku, do të jetë në vendin e parë në Kukës. “Ajo është një grua e angazhuar prej vitesh në sektorin privat, si drejtuese, menaxhere në kompani të ndryshme dhe duke qenë se është paraqitur në platformën e “Deputetit që Duam””.

Eni Zake është vendi i parë në Korçë. “Ajo është administratore e Universitetit Fan Noli të Korçës, anëtare e këshillit bashkiak. Në të njëjtën kohë me shumë aktivitet komunitar”.

Lavdrim Krashi është vendi i parë në Dibër. “Është një emigrant profesionist, prej 94 ka emigruar në Britaninë e Madhe. Është shumë i njohur dhe i respektuar nga komuniteti dibran në veçanti në Londër, por edhe nga komuniteti shqiptar në Përgjithësi. Me një rrugëtim shumë mbreslënës që e ka çuar në Bashkinë e Londrës”.


Hatixhe Konomi aktualisht nënkryetare në Bashkinë Berat, vendi i parë në Berat. “Master në menaxhim në Francë”.

Najada Çomo-Luljeta Bozo: “Në vend të parë në Tiranë janë dy zonja shumë të nderuara që i njeh e gjithë Shqipëria. Dy profesioniste fantastike të cilat do të jenë shumë të vyera për ne, por përtej këtij fakti PS në këto prurje të reja u jep mundësi pensionistëve të Shqipërisë që për herë të parë të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament, u jep mundësinë gjyshërve dhe gjysheve, të kenë një prej tyre që i përfaqëson ata. Është një mesazh i bindjes sime që nuk është mosha që sjell të renë gjithmonë”.


Erion Braçe, vendi i parë në qarkun e Fierit. “Është vendi i një socialisti të paepur në kushtet kur një tjetër socialist i paepur udhëheq qarkun dhe do luftojë tek kufiri”.

Evis Kushi, vendi i parë në Elbasan është Ministrja jonë e arsimit. “Ka bërë më të mirën në Kuvend për të përfaqësuar Elbasanin dhe PS dhe që si ministre arsimi është një nga surprizat më të mira të eksperiencën time”.

Mirela Kumbaro do të jetë vendi i parë në Gjirokastër. “Faktikisht ne kemi objektivin bazë për dy deputetë dhe natyrisht i dytë do të jetë Blendi Çuçi”.

Lindita Nikolla do të jetë në krye të vendit në qarkun e Lezhës. “Gratë janë e ardhmja”.


Milva Ekonomi, në qarkun e Durrësit. “Është durrsake denbabaden. Do ta ngjisim në Krujë për të përfaqësuar natyrisht gjithë qarkun e Durrësit, por për tu kujdesur për të gjithë atë zonë”.