Edhe pse “Air Albania” kushtoi më shumë se 80 milionë euro, kryeqyteti i Shqipërisë nga e diela e 13 gushtit nuk do ketë një stadium të denjë për ndeshjet ndërkombëtare.
Fusha e stadiumit do i nënshtrohet mbjelljes së barit, me tapetin e gjelbër që është në gjendje të keqe dhe për këtë arsye, në stadium nuk do zhvillohet më asnjë aktivitet.
Takimi i fundit që do zhvillohet aty do jetë ai i së shtunës (12 gusht) në 20:00, ku Partizani do presë në miqësoren e luksit Romën e Mourinhos. Të kuqtë më pas do duhet të shtegtojnë në “Elbasan Arena”, ku në 17 gusht në 20:00 luhet sfida e kthimit mes tyre dhe Valmierës, e vlefshme për turin e tretë të Conference Laague.
Pas fitores së djeshme 1-2 në transfertë, Partizani është me një këmbë në fazën play-off të kompeticionit dhe është e sigurt që nëse kalon nuk do i zhvillojë ndeshjet në kryeqytet dhe pranë tifozëve.
Nga mungesa e një stadiumi të denjë për ndeshjet evropiane pas mbylljes së qepenëve të “Air Albania-s”, e pëson më shumë klubi i Partizanit dhe tifozët e këtij ekipi. Të ardhurat nga biletat dhe mbështetja nga tifozët kurrsesi nuk është e njëjtë në Elbasan si në Tiranë, kjo për largësinë mes dy qyteteve.
Tanimë tifozët e Partizanit do duhet të organizojnë udhëtimin për në Elbasan, me Partizanin që është me një këmbë në fazën play-off. Rëndësia e një stadiumi komod vihet re nga numri i biletave të shitura, teksa për miqësoren Partizani – Roma janë shitur më shumë se 17 mijë të tilla.
Me “Selman Stërmasin” që nuk është në gjendje për të pritur një ndeshje futbolli, kompleksin e Partizanit “Arena e Demave” që nuk i plotëson kushtet dhe “Air Albania” në rinovim, Tirana mbetet pa një stadium për ndeshjet ndërkombëtare, kjo deri në 10 shtator, kur Kombëtarja kuqezi pret Poloninë për kualifikueset e Europianit 2024 për grupin E.