Kupa e Botës 2026 është eventi sportiv që mezi po pritet nga të gjithë, e megjithatë që tani kanë nisur polemikat.

Shkak për diskutim janë bërë çmimet e biletave, që lehtësisht mund të cilësohen “një çmenduri”.  Portali zyrtar i rishitjes së FIFA-s po liston biletat për finalen e 19 korrikut në stadiumin ‘MetLife’ në New Jersey për afro 2.3 milionë dollarë secila.

Katër vende në tribunën e poshtme pas porte janë në shitje për 2,299,998.85 dollarë. Të dhënat janë të habitshme, por në përputhje të plotë me mënyrën se si funksionon sistemi. FIFA nuk vendos kufizime çmimesh në tregun sekondar, megjithëse mban një komision prej 15% si nga shitësi ashtu edhe nga blerësi.

Nëse shitet me atë çmim, organi ndërkombëtar do të mbledhë afërsisht 690 mijë dollarë për biletë të vetme. Vendet e tjera në të njëjtin seksion arrijnë në 207 mijë dollarë, ndërsa në nivelin e tretë, çmimet bien në 138 mijë dollarë ose edhe 23 mijë dollarë. Biletat “më të lira” fillojnë nga pak më pak se 11 mijë dollarë.

Vendimi për të mos vendosur një kufizim çmimesh u motivua nga dëshira për të kufizuar shitjen e biletave në platformat e jashtme. Megjithatë, efekti anësor i dukshëm mbetet, pasi pjesëmarrja në finale bëhet një privilegj për pak veta, me çmimet që shënojnë një rekord të ri në historinë e garës.