Kujtimi i futbollistit të ndjerë, Diogo Jota, do të jetë i pranishëm gjatë Kupës së Botës këtë verë, jo vetëm në kampin e Portugalisë, por edhe në atë të Skocisë. Kjo përmes një historie të veçantë dhe emocionale mes miqsh dhe familjarësh.
Mbrojtësi i Skocisë dhe i Liverpool-it, Andy Robertson, ka treguar se do të përmbushë një ëndërr që e kishte ndarë me Jotën gjatë kohës së tyre së bashku në klubin anglez.
“Gjatë asaj kohe folëm shumë për Kupën e Botës. Ai e humbi Botërorin në Katar për shkak të një dëmtimi, ndërsa unë nuk u kualifikova me Skocinë. Ishte një ëndërr që e ndanim së bashku”, tha Robertson, duke kujtuar mikun e tij.
Pas kualifikimit të Skocisë, Robertson mori një letër emocionale nga e veja e Diogo Jotës, Rute Cardoso, e cila e inkurajonte atë të vazhdonte rrugën dhe të përfaqësonte edhe ëndrrën e bashkëshortit të saj të ndjerë.
Në letrën e saj, Cardoso shkruante se Jota shpesh fliste për miqësinë e tyre, për sfidat që kishin kaluar dhe për ëndrrën e përbashkët për të luajtur në Kupën e Botës.
Ajo theksonte se, pavarësisht humbjes, kujtimi i Jotës vazhdon të jetojë dhe se Robertson nuk do të jetë vetëm në këtë rrugëtim.
“Kur të dalësh në fushë, do ta ndjesh se nuk je vetëm. Diogo do të jetë me ty në mendime, në hapa dhe në zemër”, thuhej mes të tjerash në letrën e saj.
E prekur nga mesazhi, edhe vetë Robertson foli me emocione për mikun e tij të ndjerë dhe ëndrrën që kishin ndarë së bashku.
“Ishte në Botërorin 2022 kur u bëmë vërtet miq. Ai e humbi për shkak të dëmtimit dhe Skocia nuk u kualifikua. Ne flisnim shpesh për Kupën e Botës dhe për atë që do të thoshte për ne të dy të ishim atje”, u shpreh ai.
Mbrojtësi skocez shtoi se objektivi i tyre ishte pjesëmarrja në Botërorin që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.
“Ky ishte qëllimi ynë i përbashkët: të shkonim në SHBA. Jam i shkatërruar që ai nuk është këtu për ta parë këtë”, tha Robertson.
Ai u zotua se do ta mbajë kujtimin e Jotës me vete gjatë gjithë turneut.
“Do ta mbaj në zemër dhe e di që do të jetë me mua në ndeshjen e parë, të dytën, të tretën… dhe shpresoj edhe më tej. Ai është gjithmonë aty me ne”, përfundoi ai.



