Kryeministri Edi Rama ka komentuar refuzimin e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli për të qenë në listën e kandidatëve për deputetë të PS në këtë qark.
Rama nuk dha shumë detaje, por tha për gazetarët se Leli nuk e ka parë të arsyeshme të bëhet pjesë e skuadrës.
Gjithsesi, kryeministri u shpreh i bindur se skuadra e PS në Vlorë do realizojë objektivin bazë për 8 mandate dhe do i afrohet maksimalit për 9 mandate.
“Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendshme. Këtu nuk ka rëndësi fare se çfarë ka menduar njëri apo tjetri. Është e vërtetë që unë i kam propozuar që ai të bëhet pjesë e skuadrës, nuk e ka parë të arsyeshme, është zgjedhja e tij. Me të, pa të skuadra jonë në Vlorë do realizojë objektivin bazë dhe do shkojë shumë afër objektivit maksimal që është plotësisht i mundur sipas meje, s’ka asnjë problem”, deklaroi Rama.