39-vjeçarja Viola Sterjo u arrestua të mërkurën nga policia e Korçës, nën akuzë se kishte mashtuar dhjetëra qytetarë, duke marrë shuma të mëdha parash me premtimin se do të përfitonin fonde për ndërtimin e hoteleve dhe resorteve.

 Sterjo ka kërkuar shuma parash duke premtuar që do të ndërhynte për të marrë grantin tek AZHBR.

Sot ka reaguar drejtuesja e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Eranda Selmanaj, e cila deklaron se institucioni që ajo drejton, distancohet nga ky rast. Ajo mohon që Sterjo të ketë pasur ndonjë lidhje ligjore apo institucionale dhe kontakte me AZHBR.

“AZHBR në fakt është vënë në dijeni të rastit të shtetases Viola Sterjo gjatë ditës së djeshme nëpërmjet medias në dijeni të këtij lloj abuzimi që ajo ka bërë për shkak të pozicionit që ka patur. Më konkretisht ka shfrytëzuar pozicionin e saj publik për të ndikuar në institucionet shtetërore. AZHBR distancohet nga ky rast, që do të thotë, nuk ka asnjë lloj lidhje ligjore, apo lidhje të ngushtë me këtë shtetase në asnjë lloj bashkëpunimi, që do të thotë, asnjë lloj marrëdhënie institucionale apo kontakt për AZHBR me shtetasen e mësipërme, e cila ka rezultuar tashmë si mashtruese për fondet e AZHBR. Ajo ka përdorur emrin e AZHBR, por në të vërtetë nuk ka asnjë lloj lidhje, të paktën sipas institucionit ku ne ndodhemi tani. Pra kjo shtetase nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi dhe asnjë lloj lidhje me këtë institucione që do të thotë gjithçka ka qenë mashtrim i saj”, thuhet në reagim.