Policia ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në bashkinë e Lushnjës, ku një grua humbi jetën.

Mësohet se një 60-vjeçare e identifikuar si Shpresa Çani, ndërroi jetë në zyrën e kryetares Eriselda Sefa, pasi kishte shkuar për të pyetur në lidhje me arsyet se përse i  ishte hequr ndihma ekonomike që merrte prej disa kohësh.

Pasi ka debatuar me punonjësit e sekretarisë, ajo është ndierë keq, dhe më pas është rrëzuar në tokë. Pasi është thirrur ambulanca, është konstatuar vdekja e saj.

Mister mbetet fakti pse ngjarja nuk është bërë publike gjatë ditës së djeshme, kur edhe gjithçka ka ndodhur.

Njoftimi i policisë:

U referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi në datën 28.12.2022, në ambientet e bashkisë së Lushnjës, ka humbur jetën shtetasja Sh. C., 60 vjeçe, banuese në Fiershegan. Paraprakisht dyshohet se 60-vjeçarja e ka humbur jetën nga shkaqe natyrale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.