Një tjetër viktimë është regjistruar mbrëmjen e sotme, duke rënduar bilancin e jetëve të humbura.
Policia ka njoftuar se një 58-vjeçar ka humbur jetën pasi është përfshirë në një aksident, në aksin rrugor Elbasan-Peqin.
Aksidenti ka ndodhur në fshatin Përparim, ku një automjet ka përplasur një karrocë që tërhiqej nga një kafshë dore. 58-vjeçari ka qenë në karrocë dhe ka humbur jetën nga plagët.
Kujtojmë se më herët 4 persona u mbytën në liqenin e Banjës në Gramsh, ndërsa dy të tjerë humbën jetën në Durrës dhe në Lezhë teksa ishin në plazh. Po ashtu, një 40-vjeçar ndërroi jetë në Himarë, pasi makina që drejtonte doli nga rruga.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 21:30, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Përparim, automjeti me drejtues shtetasin N. Xh., 20 vjeç, është përplasur me karrocën e tërhequr nga një kafshë dore (kalë).
Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi F. Z., 58 vjeç, banues në Peqin që drejtonte karrocën.
Drejtuesi automjetit u shoqërua në Komisariatin e Policisë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.