Top Channel zbardh argumentet e SPAK me të cilat shkoi në GjKKO për koncesionin e sterilizimit.

Në dosjen që siguroi gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha shkruhet se: “Më 3 korrik 2023 prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, pasi u njohën me aktet e procedimit penal konstatuan se në datë 13.01 2020 është regjistruar procedimi penal nr.13 të vitit 2020 që bëhet fjalë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”, Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me procedurën e dhënies me koncesion për “shërbime të integruara për orfrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale dhe furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga aktet rezulton se në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, subjekti “Nisma Thurje” ka depozituar kallëzimin penal për zyrtarët publikë të përfshirë në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, të cilët me veprimet e tyre, mund të kenë konsumuar elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, shkeljen e barazisë e pjesëmarrjes në tendera dhe/ ose korrupsion pasiv duke përdorur pushtetin publik për përfitime private. Nga përmbajtja e materialit kallëzues rezulton se: Më datë 10 dhjetor të vitit 2015Ministria e Shëndetësisë me miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë me miratimin e Ministrisë së Financave dhe KLP ka lidhur një kontratë koncesionare me kompaninë “Sani Service “për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.

Kujtojmë se tetë persona u vunë nën masa sigurie nga GJKKO, tetë vite pas firmosjes së koncensionarit të sterilizimit dhe tre vite pasi çështja u kallëzua në SPAK.

Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, në cilësinë e kryetarit të komisionit për koncensionarin me vlerë fillstare 9.6 miliardë lekë përfundoi nën arrest me burg për shpërdorim detyre.

Së bashku me të edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, që dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe që kryeson konsorciumin.

Veç tetë personave, GJKKO i ka sugjeruar SPAK-ut që tëë ushtrojë ndjekje penale edhe për gjashtë persona të tjerë, përfshirë edhe ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
SPAK shprehet se ka veçuar hetimet edhe për persona të tjerë të dyshuar në kontratën e partneritetit publik privat, të kallëzuar dhjetorin e 2019 nga Nisma Thurje.

Kontrata e sterilizimit u firmos në vitin 2015 nga ministri i Shëndetësisë dhe biznesmenit të kompanisë “Sani Service”, ndërsa edhe pse u kundërshtua nga ish ministri i Financave, edhe ai e miratoi.

Shkëlqim Cani ishte në SPAK një ditë ma prë për këtë çështje si person që ka dijeni, pavarësisht se Gjykata Antikorrupsion ka vënë në pikëpyetje rolin e tij.

Gjithashtu Gjykata e Posaçme kërkoi vënien në lëvizje të ILDKPI për të shpallur të pavlefshme kontratën e sterilizimit, pasi u firmos në kushtet e konfliktit të interesave./ Top Channel