Kreu i Partisë së lirisë ka mbajtur fjalën e tij para protestuesve të grumbulluar në sheshin “Dëshmorët e Kombit” ditën e sotme.

Meta e cilësoi skandalin e lidhjes Rama –McGonigal si aferën korruptive që ka derdhur kupën e zemërimit.

“Të nderuar qytetarë, i nderuar profesor Sali Berisha, lideri i PD. Kjo protestë historike dhe madhështore sot është prova e dinjitetit më të lartë qytetar dhe patriotik, Sot është ora për t’u përballur në një rezistencë pa kthim me këtë regjim të kalbur, hajdut.

Struci i Rilindjes i cili është fshehur si një frikacak i pashoq nga frika e tmerrshme që ka nga përballja e të vërtetës, me dëmet e pallogaritshme. Edi Rama e përdori pushtetin për veten dhe është i gatshëm që të kënaq çdo mafioz, të brendshëm dhe ndërkombëtar, vetëm që të shtyjë dhe disa ditë në pushtet. Afera korruptive që ka tronditur mbarë botën në të dyja anët e Atlantikut, është afera që ka derdhur kupën e zemërimit. 

Edi Rama e ka shumë të qartë se llogaridhënies nuk i shpëton dot dhe pse ka braktisur kuvendin prej 3 javësh. Do të japë llogari për të gjitha shkeljet e kushtetutës që ka bërë. Do të japë llogari për bllokimin e të gjitha iniciativave të opozitës.

Ai do të japë llogari dhe për bllokimin e komisioneve hetimore në kuvend. Do të japë llogari dhe për përjashtimet staliniste të deputetëve të opozitës.

Rama do të japë llogari deri në fund për pengmarrjen e integrimit europian këtij interesi mbarëkombëtar sepse me vendimet e tij mafioze, pasaportat e arta, ligjin për mediat, portin e Durrësit i është kundërvënë hapur vlerave të shtetit ligjor. Me Edi Ramën kryeministër vendi vetëm zhytet në korrupsion”, tha Meta.