Pas përplasjes së ndodhur në kampin MEK në Manzë mes policisë dhe muxhahedinëve prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje 10 muxhahedinë iranianë.
Mësohet se 10 iranianët janë pyetur dje në lidhje me ngjarjen e ndodhur si dhe pretendimet e tyre për ushtrimin e dhunës nga ana e policisë. Ata kanë kanë dhënë verisonin e tyre edhe për humbjen e jetës së 78 vjeçarit, anëtari i kampit.
Gjatë marrjes në pyetje ata i kanë qëndruar dëshmisë së tyre duke pretenduar se policia ka ushtruar dhunë ndërsa policia në deklaratat e saj mohon akuzën si dhe konfirmon se 15 punonjës policie janë dëmtuar gjatë ushtrimit të detyrës
Në këtë fazë të hetimit policia dhe prokuroria nuk kanë ende në dorë pamjet e kamerave të sigurisë, pavarësisht se i kanë dërguar një kërkesë zyrtare përfaqësuesve të kampit të muxhahedinëve.
Sot po vijojnë të merren në pyetje persona të tjerë të cilët janë proceduar nga policia, të cilët gjithashtu ngrenë pretendime për ushtrim dhune nga forcat policore.
Ndërkohë pritet të dalin edhe rezultatet e autopsisë të cilat do të zbulojnë shkakun e vdekjes së një prej anëtarëve të kampit muxhahedin.