Rexhep Rraja, djali i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, është shpallur në kërkim nga policia, në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Krujë, ku ai bashkë me disa pjesëtarë të fisit të tij dhunojnë brutalisht dy persona.

Policia bën me dije se pas hetimeve, është identifikuar edhe Rexhep Rraja si i përfshirë në ngjarjen e rëndë dhe tashmë materialet janë dërguar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.

Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.