Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishte mëngjesin e sotëm e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku sqaroi postimin e saj në lidhje me shezlongët falas pas orës 19:00.

Por jo vetëm kaq, pasi Kumbaro ka komentuar gjithashtu edhe bumin e madh që ka pasur turizmi në Shqipëri vit pas viti, ku gjithnjë e më shumë po vijnë turistë të huaj.

Sipas ministres, evolucioni i turizmit në Shqipëri vjen si rezultat i një pune të përmuajshme dhe përvitshme nga faktorët socialë, ekonomikë, të qeverisë dhe sektorit privat. Po aq e rëndësishme sipas Kumbaros, është edhe promocioni në rrjetet sociale.

“Është një evolucion që ka ardhur gradualisht nga një vit në tjetrin. Ka një përmirësim të ndjeshëm, të dukshëm, të prekshëm të imazhit të Shqipërisë, gjë që nuk ndodh në një ditë, për ndodh si rezultat i një pune të përmuajshme dhe të përvitshme të të gjitha këto faktorëve sociale dhe ekonomikë, të qeverisë, të bashkive, të sektorit privat të cilët emancipohen duke emancipuar të gjithë Shqipërinë. E dyta ky përmirësim i imazhit është promocioni dhe ambasadori më i mirë që ne mund të kemi. Rrjetet sociale kanë qenë një avokat shumë i mirë i Shqipërisë qoftë në Instagram, Facebook apo TikTok”, tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.

Ndërkohë sipas Kumbaros, në vitin 2022 në Shqipëri, nga 1 janari deri më 31 dhjetor kanë hyrë 7.5 milionë vizitorë të huaj, të cilët vijnë për qëllime të ndryshme.

Ministrja shprehet gjithashtu se sipas turistëve, Shqipëria jo vetëm që është vend i bukur dhe mikpritës, por është edhe vend i sigurt.