Është arrestuar mbremjen e djeshme, shtetasi Dan Hutra, autori i tre vrasjeve dhe tre plagosjeve të ndodhura  në Tiranë. Hutra është arrestuar në zonën e Sharrës dhe me vete ka patur edhe armën e krimit tip kallashnikov.

Në momentin e arrestimit ai nuk ka bërë rezistencë, por është shfaqur me duar të gjakosura. Ai ka mbërritur para pak minutash në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, ku pritet të japë dëshminë paraprake rreth krimeve që ka kryer brenda harkut kohor 1 orë. Ai është shfaqur i qetë teksa shoqërohej brenda ambienteve të policisë.

Rikujtojmë se në orën 12:15, ku në rrugën “Teodor Keko” në mbikalimin e Pallatit me Shigjeta, Dan Hutra ka plagosur me thikë 40-vjeçaren Mariana Gurakuqi. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Hutra është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Rreth orës 12:48 minuta ka shkuar në rrugën “Besëlidhja”, ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.