Një qytetar i cili ka zgjedhur veshjen popullore për të dhënë mesazhin e tij gjatë protestës së sotme, është shprehur se i është bashkuar kësaj thirrje për shkak të padrejtësive me të cilat haset çdo ditë.

Ai shprehet se nuk do të kthehet në qytetin e tij, pa u larguar nga qeveria kryeministri Edi Rama.

“Unë kam ardhur në protestë, sepse ka shumë padrejtësi. Kjo qeveri e ka mbushur bashkinë e Kurbinit me seksera, Nga një pastruese kanë future 5.

Unë kërkoj nga qeveria, rinia ka ikur, demokratët kanë ikur dhe populli kanë ngelur zero. Nuk iki më në Kurbin derisa Edi Rama të largohet”, shprehet ai.

1500 efektivë të policisë së shtetit do të jenë në terren ditën e sotme për protestën e thirrur nga Sali Berisha. Nga ora 12:00 që nis protesta, do të jetë i bllokuar Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe të gjitha drejtimet që lidhen me bllokun e rrugës së Elbasanit.

Nga ana tjetër ambasada amerikane ka këshilluar qytetarët e saj që të shmangin lëvizjet pranë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku do të zhvillohet protesta e thirrur nga Sali Berisha.

Kjo protestë u njoftua nga Berisha pasi në akt-akuzën amerikane për agjentin e FBI, Charles McGonigal përmendej se ai ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama.

Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se ka paguar McGonigal për të shkatërruar PD, por nga ana tjetër kreu i qeverisë thotë se ka zhvilluar takim me agjentin në cilësinë e ish-zyrtarit të FBI dhe se nuk ka asnjë lidhje me hetimin në SHBA.