Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e sotme Mallakastrën, teksa 89-vjeçari Çaush Shehaj humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga dy të rinj, që i grabitën shtëpinë.

Shehaj banonte në fshatin Klos së bashku me gruan e tij. Kjo e fundit ka treguar se ishin dy të rinj ata që i dhunuan, ndërsa mes lotësh, rrëfen ngjarjen. E moshuara, e ulur pranë oxhakut të banesës së vjetër, mes lotësh lutet që të ishte ajo në vend të burrit të saj.

“Ishin të rinj ata që na dhunuan. Na dhunuan 2 djem të rinj. S’më vranë mua në vend të Çaushit. Çaushin e vranë fare. Mua më vranë. Më rrahën”, tha e moshuara.

Kujtojmë se dy të rinjtë  Ervis Halimi 22 vjeç dhe Musa Gudo 28 vjeç, janë arrestuar si autorët e ngjarjes, ndërsa ata kishin hyrë në shtëpinë e të moshuarit të armatosur me një automatik dhe e kishin kërcënuar. Duke e dhunuar ata i kishin marrë rreth 5 mijë lekë. Në dyshimin se i moshuari mund të kishte para të tjera në shtëpi, ata e kanë torturuar, duke e dhunuar aq rëndë sa t’i merrnin dhe jetën.