Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentjana Mujeci u ekzekutuan sot në një atentat me armë zjarri në Lezhë, teksa po udhëtonin me automjetin e tyre.
Vetëm një ditë më parë, prindërit e 4 fëmijëve kishin marrë pjesë në festimet e Shën Markut bashkë me banorët e fshatit Koljakaj. Si çdo vit gjatë katër viteve të fundit, Mujeci kishte organizuar festën tradicionale pranë kryqit të vendosur në malin e zonës, duke mbledhur të gjithë komunitetin në një atmosferë gëzimi e harmonie.
Sipas të dhënave paraprake, çifti po udhëtonte me një automjet tip “Audi Q7”, kur është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se drejt mjetit janë qëlluar më shumë se 30 plumba, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy bashkëshortëve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, ndërsa autorët janë larguar nga vendi i krimit pa lënë gjurmë. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërkohë që policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kërkimet në zonë. Mësohet se nga Tirana kanë mbërritur me urgjencë specialistë të sektorit të Krimeve të Rënda, të cilët po punojnë në bashkëpunim me policinë lokale për zbardhjen e plotë të atentatit.



