Të paktën 150 persona janë arrestuar nga forcat e sigurisë në Francë, në natën e dytë të trazirave, të cilat u nxitën pas vrasjes së një adoleshenti nga policia.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, i quajti një ditë më parë këto trazira si ‘të patolerueshme’

“Një natë e patolerueshme e dhunës kundër simboleve të Republikës, me ndërtesat komunale, shkollat dhe stacionet policore të djegura ose të sulmuara. Mbështetje për policinë dhe turp për ata që nuk bëjnë thirrje për qetësi!”, tha Darmanin.

Kujtojmë se mëngjesin e dy ditëve më parë, Nahel M., 17 vjeç, u qëllua me armë zjarri nga një efektiv pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Kjo ngjarje ka nxitur debatin në Francë lidhur me taktikat që përdor policia e që prej një kohe të gjatë janë kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut lidhur me trajtimin e njerëzve me të ardhura jo të larta, sidomos të pakicave etnike.

Nëna e adoleshentit bëri thirrje për një marshim sot, në nderim të djalit të saj të vetëm. Përveçse në Paris, përleshje mes policisë dhe protestuesve, mbrëmë pati dhe në Tuluz, Lion e Dizhon. Rreth 2 mijë policë u dislokuan në Paris, ndërsa protestuesit hodhën fishekzjarre e sende të forta drejt forcave të rendit.

Jemi ngopur duke na trajtuar kështu. Kjo është për Nahelin, ne jemi Naheli!

Policia rrugore kërkoi që Nahel M të ndalonte teksa po drejtonte një makinë tip “Benz”. Fillimisht, efektivët thanë se e qëlluan pasi po lëvizte me automjet drejt tyre, por këto deklarata janë në kontradiktë me disa video që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.

Në videot e publikuara, shfaqen dy policë duke qëndruar pranë makinës së tyre të parkuar dhe njëri prej tyre i drejton armën shoferit. Më pas dëgjohet një e shtënë e mjeti që po drejtonte adoleshenti lëvizi për një kohë të shkurtër dhe më pas u përplas.

Më 2005-ën, në Francë shpërthyen trazira të mëdha pas vdekjes së dy djemve me ngjyrë gjatë një ndjekjeje policore. Ato protesta rezultuan me rreth 6 mijë të arrestuar. Më 2017-ën, Franca ndryshoi ligjet duke u dhënë më shumë të drejta policëve sa i përket përdorimit të armëve të shërbimit. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë pasi refuzuan të ndalonin për kontrolle në trafik.