Një tragjedi familjare ka ndodhur në zonën Pietralata në Romë, ku një çift dhe vajza e tyre 5-vjeçare, me aftësi të kufizuara, janë gjetur të pajetë në banesën e tyre.
Mediat në Itali shkruajnë se, ngjarja ka ndodhur herët pasditen e së hënës, në një apartament në rrugën “Via dell’Antracite”. Zjarrfikësit shkuan në banesë pasi u njoftuan nga një familjar, i cili nuk kishte mundur të kontaktonte me anëtarët e familjes.
Brenda apartamentit, ekipet e emergjencës dhe forcat e policisë u përballën me një skenë të rëndë. Prindërit, 41 dhe 42 vjeç, si dhe vajza e tyre 5-vjeçare, u gjetën të pajetë në dhomën e gjumit, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Në të njëjtën dhomë u gjet edhe qeni i familjes, i cili kishte ngordhur dhe kishte plagë që dyshohet se ishin shkaktuar nga të shtënat me armë.
Në vendngjarje mbërritën edhe efektivët e Karabinierëve, ndërsa hetimet kanë nisur për të zbardhur rrethanat e tragjedisë.
Hipoteza e parë: vrasje-vetëvrasje
Në këtë fazë, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e një vrasjeje-vetëvrasjeje, e cila mund të jetë e lidhur me probleme të rënda personale dhe familjare.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku ishin të pranishëm edhe mjeku ligjor dhe prokurori, u gjet një armë zjarri në pronësi të ligjshme.
Në banesë janë gjetur gjithashtu disa shënime të shkruara me dorë, të cilat po analizohen nga hetuesit dhe mund të ndihmojnë në zbardhjen e asaj që ka ndodhur.
Prokuroria e Romës ka nisur hetimet për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar se cili prej dy bashkëshortëve ka përdorur armën.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi familjare.



